Masakra në Orlando, autori me probleme mendore. Flasin familjarët

13/06/2016 00:00

Një njeri i paqëndrueshëm mendërisht, i dhundshëm e i mbushur me urrejtje. Ky ishte autori i masakrës më të madhe të historisë së Shteteve të Bashkuara, atë të Orlandos në Florida.

Omar Mateen vrau 50 vetë e plagosi 53 të tjerë në klubin e natës “Pulse Club”, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Ish e shoqja rrëfeu se, përgjatë lidhjes së tyre bashkëshortore, 29-vjeçari e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe se, dukej që kishte probleme me shëndetin mendor.

“Në fillim dukej shumë normal, kishte interes për familjen, i pëlqenin shakatë, i pëlqente argëtimi. Por vetëm pak muaj pas martesës fillova të vërej paqëndrueshmërinë e tij. Pashë se ishte bipolar dhe kalonte menjëherë në sjellje dhe veprime ekstreme. Pikërisht atëherë nisa të shqetësohem për sigurinë time, e kjo u përforcua kur nisi dhuna fizike”, tha Sitora Yusufiy, ish-gruaja.

Vet babai i agresorit kujton zemërimin dhe urrejtjen që përfshiu të birin, kur pa dy burra duke u puthur në Miami. Në një deklaratë të postuar “online” dhe të drejtuar bashkëkombasve të tij afganë, Seddique Mateen e përshkruan djalin e vet si njeri të mirë.

“Nuk e di çfarë e shkaktoi ndryshimin e tij, – thotë Seddique. – Nuk e mendova kurrë se do të kishte kaq shumë urrejtje në zemër, se do të kryente një akt të tillë gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit. Fati i homoseksualëve nuk është në duart e njerëzve, – shton ai. – I takon vetëm Zotit t’i gjykojë”.

Si njeri të qetë e përshkruan 29-vjeçcarin edhe imami i xhamisë së Floridës së frekuentuar nga Omari për gati 10 vite.

“Ky është një veprim individual, të cilin duket e ka bluar me veten. Një Zot e di ç’ka pasur në mendje”, tha Syed Shafeeq Rahman, imam.

Deri tani janë identifikuar 21 prej viktimave, 17 meshkuj dhe 4 femra. Mateenin, shtetas amerikan me origjinë afgane dhe i lindur në Nju Jork, por që jetonte në Florida, nuk figuronte në listën e të dyshuarve për terrorizëm, por ishte intervistuar dy herë nga FBI-ja për komente ndaj një kolegu që nxisnin urrejtje.

Top Channel