
Këtë të hënë, Suedia e Erik Hamren nëse dëshiron të kualifikohet duhet të tentojë me çdo kusht fitoren në ndeshjen e parë të grupit E mes përfaqësueses nordike dhe Irlandës së Martin O’Neill që do të zhvillohet në Stade de France, stadiumin ku u luajt edhe ndeshja hapëse e Euro 2016 mes Francës dhe Rumanisë.
Por edhe pse shihen si favoritë përballë përfaqësueses ishullore suedezët nuk do ta kenë të thjeshtë, e ka mëse të qartë diçka të tillë kapiteni dhe lideri i kombëtares skandinave Zlatan Ibrahimovic.
“Unë mendoj se kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. Mendoj se kemi 50% shanse për të fituar. Ne duhet të luftojmë në fushë nga minuta e parë në të fundit. Të shohim se çfarë do të ndodhë por nuk jam ulur këtu përpara jush për tu thënë se ne do të fitojmë sepse në futboll, mund të ndodhë çdo gjë”.
Zlatan më pas u ndal edhe te ngjarjet e dhunës që ndodhën në Marseille, mes tifozëve anglezë dhe atyre rusë.
“Unë e njoh Francën shumë mirë pasi kam luajtur futboll këtu për 4 vite. Ajo që ndodhi mes fansave në Marseille ishte me të vërtetë diçka e tmerrshme. Ajo që unë shpresoj është që tifozët ta kthejnë në festë këtë kompeticion dhe ta shijojnë po aq shumë sa edhe ne futbollistët”.
Për të ardhmen e tij Ibra nuk zbuloi sërish asgjë duke lënë gjithçka të hapur. Ndërkohë trajneri i Suedisë Erik Hamren u shpreh se skuadra e tij është përgatitur mirë për ndeshjen ndaj Republikës së Irlandës dhe të gjithë lojtarët janë gati për përballjen e së hënës.
Top Channel