PD: Të hiqet reforma nga kalendari  i Kuvendit

10/06/2016 00:00

Partia Demokratike e quan skandal të pashembullt në historinë 25-vjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, futjen në kalendarin trejavor të punimeve të reformës në drejtësi.

Duke folur për mediat, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka tha se ka marrë një informacion ende jozyrtar nga ana e Kuvendit se bëhet fjalë për një lapsus.

“Është një skandal që nuk ka ndodhur në 25 vite. Kemi të bëjmë me një falsifikim të kryer dhe nga kush duhet ta marrim vesh. Sipas informacioneve rezulton që, të paktën ende jozyrtarisht, na është thënë që ka qenë një gabim”, tha Paloka.

Por ky arsyetim nuk e bind Partinë Demokratike.

“Pak e habitshme që të jetë gabim i administratës. Nuk mund të bëjë administrata gabime të tilla dhe nëse do të rezultojë që nuk është gabim, mendoj se gjithsecili ka të dejtë të gjykojë sesa e rëndë është të shohë sesi vepron kjo maxhorancë dhe Edi Rama”, u shpreh ai.

Opozita është në pritje të sqarimit zyrtar nga ana e Kuvendit për të vendosur nëse do të bëjë kallëzim në prokuroria apo jo.

“Nuk e kemi dorëzuar kallëzimin penal në prokurori dhe po presim që zyrtarisht të hiqet nga kalendari trejavor i Kuvendit reforma në drejtësi”, tha Paloka.

Top Channel