
Në Francë, 10 zonat ku do të mblidhen tifozët për të ndjekur ndeshjet gjatë kampionatit europian të futbollit, kanë shtuar shqetësimet se ato mund të kthehen në objektiva të sulmeve terroriste.
“Është sikur të kemi ndërtuar 10 salla ‘Bataclan’-i dhe të kemi ftuar aty xhihadistët të bëjnë më të keqen e mundshme”, u shpreh në kushte anonimiteti për “The Independent” një burim nga radhët e forcave franceze të sigurisë.
Megjithatë, organizatorët e “Euro 2016” pranojnë se fillimisht e menduan idenë e moskrijimit të zonave për fansat, por sipas Jacques Lambert, kryetar i Komitetit Organizator të Europianit, është më mirë që fansat të mblidhen të gjithë në një zonë të mbikëqyrur nga qindra forca policore, sesa të jenë të shpërndarë.
Rreth 80 mijë policë dhe 12 mijë roje private të sigurisë do të vendosen për të mbrojtur ndeshjet dhe “zonat e tifozëve”, nga çdo përsëritje e mundshme e sulmeve të Parisit në nëntor. Po ashtu, këto ambiente specifike do të mbikëqyren edhe nga patrullimi i helikopterëve ushtarakë.
Forcat franceze të sigurisë këmbëngulin se nuk kanë asnjë kërcënim specifik, megjithatë, sipas ministrit të Brendshëm francez nuk ekziston 100% siguri. 10 “zonat e tifozëve” janë ndërtuar kryesisht në qendrat e qyteteve. Në Paris, më e madhja ndodhet pranë Kullës Eiffel dhe zona e rrethuar përfshin një skenë koncerti, bare, restorante dhe një nga ekranet më të mëdha të ndërtuara ndonjëherë.
Top Channel