PD hap letrat; akt i paprecedent, nxjerr dokumentat e Ambasadës së SHBA

08/06/2016 20:35

Letrat u hapën. Partia Demokratike nuk replikoi drejtëpërsëdrejti me Ambasadën Amerikane, por publikoi dy emaile, që tregojnë komunikimin në muajin shkurt mes opozitës dhe ekspertëve amerikanë.

Emaili i parë është i ambasadës dhe mban datën 10 shkurt. Aty janë propozimet e ekspertëve amerikanë për modelet e zgjedhjes nga Parlamenti të disa drejtuesve në institucionet e reja të drejtësisë.

“Ajo që zgjodhi PD ishte pikërisht modeli i vendeve të rezervuara. Modeli është ekzakt i propozimit të paraqitur nga partnerët ndërkombëtar OPDAT dhe EURALIUS për këtë zgjidhje”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi.

Përzgjedhjen e tyre demokratët ua komunikuan amerikanëve në emailin e datës 17 shkurt. Deri atëherë, opozita mbronte variantin e vendimmarrjes me dy të tretat e votave.

“Këto fakte vërtetojnë fleksibilitetin maksimal të PD, që në procesin e dialogut dhe konsensusit ka bërë hapat e saj përpara për të gjetur pikat e takimit”, nënvizoi Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi thotë se komunikimi i fundit ka qenë i datës 27 prill, kur palët kishin dy qëndrime të konsoliduara. Kjo është hera e parë që një parti publikon zyrtarisht komunikimin me partnerët gjatë një negociate politike. Dhe ky nuk është i vetmi hap i opozitës.

Gati dy orë përpara publikimit të emaileve, demokratët shpërndanë komunikimin e 22 prillit mes kryeministrit me nënkryetarin demokrat të komisionit të sigurisë kombëtare, Flamur Noka, për strehimin e gati 3 mijë muxhahedinëve iranianë në Shqipëri.

Duke lënë të kuptohet se mbështetja amerikane për Edi Ramën në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nuk buron nga fleksibiliteti i tij në negociatat për drjetësinë, por nga marrëveshja për strehimin në Shqipëri të të gjithë muxhahedinëve iranianë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel