Euroskepticizmi në rritje, bie mbështetja për Unionin

08/06/2016 00:00

Më pak se dy javë para se britanikët të vendosin nëse do të qëndrojnë ose jo në BE, sondazhet e reja sugjerojnë një rritje të euroskepticizmit rreth Europës.

Megjithatë, sipas raportit të Pew Research Center një shumicë e lehtë prej 51% në 10 vende të Bashkimit Europian, vazhdon të jete pro-Unionit, ndërkohë 42% e të intervistuarve duan që vendet e tyre të kenë më shumë pushtet.

Euroskeptcizmi është më i theksuar në Greqi dhe Francë ku respektivisht 71% dhe 61% e popullsisë u shprehën kundër Bashkimit Europian. Raporti sugjeron një rënie të mbështetjeve për Unionin me 17% në Francë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në Spanjë me 16%. Në Britaninë e Madhe ka një rënie prej 8% kurse në Itali 6%.

Ndërkohë një tjetër sondazh i zhvilluar nga TNT sugjeron se shumica e europianëve duan që Britania e Madhe të qëndrojë në BE. Sipas tyre, situata ekonomike në kontinentin e vjetër do të përkeqësohet në rastin e një Brexit-i.

Të dhënat bien në kundërshtim me hulumtimet e zhvilluara mes britanikëve që nxorën në pah se 41% e të intervistuarve mbështesnin qëndrimin në bllokun prej 28 anëtarësh, ndërsa 43% ishin në favor të shkëputjes. Britanikët do të thonë fjalën e tyre lidhur me çështjen më 23 qershor.

Top Channel