Takimi, Rama-Basha afrojnë duart, por jo qëndrimet

06/06/2016 00:00

Kanë kaluar më shumë se dy orë qëkur Edi Rama dhe Lulzim Basha janë mbyllur në sallën e dikurshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të diskutuar kilometrin e fundit të reformës në drejtësi.

Salla, e cila fsheh kujtime të forta për të dy nga viti 2011, kur ata diskutonin së bashku garën për Bashkinë e Tiranës, tashmë është vendi ku ata pritet të diskutojnë fatin e rëndësishëm të reformës në drejtësi.

Por në një zhvillim të minutës së fundit, në tryezë është ulur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim me Petrit Vasilin. Kjo mund të përkthehet një kompaktësi e mazhorancës, por kjo nuk do të thotë se PD mund të ndryshojë qëndrimin e saj pse LSI është në tryezë. Meta ka deklaruar se votat e LSI janë për draftin e qeverisë që mbështetet nga ndërkombëtarët.

Sa u takon ndërkombëtarëve, në të tilla raste  ata nuk flasin hapur. Qëndrimi i fundit është ai i Federica Mogherinit që ka kërkuar që javën e ardhshme në Parlament të sigurohen votat. Sot Donald Lu ka qenë në zyrën e Lulzim Bashës dhe më pas me përfaqësues të mazhorancës për të siguruar një marrëveshje, që PD të pranojë e votojë draftin.

Nga burimet e Top Channel mungesa e konsensusit të plotë ka mbetur tek vendet e rezervuara. Mazhoranca e ka dhënë variantin me dy të tretat e votave për opozitën, por PD thotë se e ka konsoliduar qëndrimin se ka pranuar formulën e vendeve të rezervuara për disa institucione të drejtësisë, një formulë që ajo thotë se ia ka dhënë OPDAT-i dhe është formalizuar në variantin final të Komisionit të Venecias në muajin mars.

PD thotë se ky është një standard europian, e përdor Malta, Kroacia e përse të mos e përdorë edhe Shqipëria.

Ky është një takim vendimtar se ç’do të ndodhë këtë javë, nëse drafti do të jetë i dakordësuar përfundimisht, nëse nuk do të jetë besohet se ai do të shkojë në Parlament dhe do të shihet nëse janë dy të tretat apo jo, me apo pa PD, me apo pa deputetë të veçantë të PD.

Takimi vazhdon akoma.

Top Channel