Presidenti amerikan, Barack Obama ka uruar si çdo vit besimtarët myslimanë kudo në botë, përpara nisjes së Muajit të madhërueshëm të Ramazanit.
“Ndërkohë që myslimanët amerikanë festojnë muajin e shenjtë – thekson ai në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, – më vjen në mendje të them se ne jemi të gjithë një familje e madhe amerikane. U qëndroj në krah komuniteteve myslimane amerikane, duke refuzuar çdo zë që përpiqet të na përçajë, ose të kufizojë liritë tona të besimit dhe të të drejtave të njeriut”.
Obama u bëri thirrje gjithashtu amerikanëve të kujtojnë miliona njerëzit, jetët e të cilëve janë shkatërruar të zhvendosur për shkak të konflikteve dhe vështirësive të shumta anembanë botës.
Myslimanët pritet të agjërojnë përgjatë këtij muaji gjatë orëve të ditës, duke shmangur edhe ujin e pijshëm, si dhe të kalojnë më shumë kohë duke u lutur apo duke lexuar Kuranin. Ata përpiqen që gjatë këtij muaji të shenjtë të shmangin sjelljet e këqija dhe kënaqësira të tilla si duhanpirja apo seksi.
Dallimet kulturore por edhe ato gjeografike kanë bërë që të ketë ndryshime edhe mbi mënyrat sesi myslimanët e kalojnë këtë muaj të shenjtë në besimin e tyre. Agjërimi gjatë ditës rezulton tepër i vështirë për njerëzit që jetojnë nëpër zonat polare, për shkak të ditëve tepër të gjata verore. Klerikët myslimanë kanë nxjerrë ligje “fatwa” gjatë së kaluarës, duke u lejuar myslimanëve në zona ku dielli nuk perëndon gjatë verës, apo kur Ramazani koinçidon në dimër kur dielli nuk lind në kohë, të ndjekin pikërisht periudhën e lindjes dhe perëndimit të diellit sipas Mekës.
Ashtu si të gjithë besimtarët e tjerë anembanë botës, edhe myslimanët në Shtetet e Bashkuara ngrenë sytë nga qielli dhe përgatiten për këtë muaj të shenjtë.
Top Channel