Berisha: Rama e shndërron takimin bilateral në trilateral

06/06/2016 00:00

Prania e Petrit Vasilit në takimin Rama-Basha nuk është pritur mirë nga ish-kryeministri, Sali Berisha. Ai komentoi në Facebook këtë detaj të takimit duke akuzuar kryeministrin se shkeli protokollin e këtyre takimeve.

“Rama shndërron takimin bilateral në trilateral?! Të dashur miq, takimin e thirrur si bilateral ‘PD – PS’, Edi Rama e ktheu në takim trilateral duke shkelur rëndë protokollin e takimeve të kësaj natyre”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri ngre disa pikëpyetje për praninë e Vasilit.

“Mundet që Meta i ka nxjerrë Ramës kartonin e kuq për koalicionin. Mundet që Rama bëri këtë se do të ndajë me Metën bllokimin e reformës, ose Meta e ka detyruar të ndajë me të suksesin!?”, shkruan ai.

Për Berishën, prania e Vasilit lexohet jo vetëm si kompleks i Ramës ndaj Bashës, por edhe si mungesë besimi mes aleatëve të maxhorancës.

“Basha ka përpara dy bashkëkryetarë të aleancës të vëllezërve armiq, të pasigurtë me njëri-tjetrin, por të pasigurt me veten e tyre!”, thotë ai.

Në fund, Berisha uron që të arrihet një marrëveshje të ndershme në interesin më të mirë të shqiptarëve.

Top Channel