Australi, stuhitë dhe përmbytjet masive shkaktojnë të paktën 3 viktima

06/06/2016 00:00

Tre persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas stuhive të fuqishme që nxorrën lumenjtë nga shtrati, rrëzuan pemë dhe shkatërroi plazhet përgjatë bregut lindor të Australisë.

Stuhitë raportohet të jenë drejtuar për nga Jugu, në New South Wales, Victoria dhe Tasmania. Erozioni në plazhin “Collaroy” të Sidnejit ka detyruar evakuimin e shtëpive disa miliardëshe, të cilat tashmë rrezikojnë të shemben.

Në Tasmani, ku u dhanë paralajmërime për përmbytje masive për shkak të fryrjes së 7 lumenjve, dy persona të moshuar dyshohet të jenë mbytur. Një burrë është rrëmbyer nga lumi Ouse teksa gjendej në oborrin e shtëpisë së tij gjatë së hënës, ndërsa një grua rezulton e zhdukur pasi shtëpia e saj u përmbyt në veriperëndim të shtetit. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar gjithashtu për një mashkull, që po lahej në një plazh shkëmbor në Sidnej, pranë plazhit “Bondi”.

Mëngjesin e kësaj të hëne u gjet trupi i një mashkulli në lumin Cotter, pranë Canberras, ndërsa policia tha se 37-vjeçari ishte rrëmbyer nga ujërat në një kryqëzim lumenjsh. Palombarët nxorrën gjithashtu trupat e dy burrave të tjerë, makinat e të cilëve ishin përmbytur në rrugët e New South Wales, në dy incidente të ndara.

Tasmania veriore përballet me përmbytjet më të ashpra prej dekadash gjatë kësaj të hëne, teksa pjesë të Launceston, Latrobe dhe Railton janë tërësisht nënujë.

Top Channel