Një fotoreporter veteran amerikan, i cili punonte për “National Public Radio”, si dhe një përkthyes janë vrarë teksa shoqëronin trupat afganë në Jug të vendit gjatë së dielës. Lajmi është konfirmuar nga vet media amerikane, por edhe nga zyrtarë të ushtrisë.
David Gilkey i NPR-së dhe përkthyesi afgan, Zabihullah Tamanna ndodheshin në automjetin e ushtrisë afgane, që po udhëtonte midis kryeqytetit të provincës së Helmandit, Lashkar Gah, dhe Marjah, kur mjeti u godit nga një raketë 82 mm gjatë një prite të talebanëve. Ngjarja është raportuar nga Shakil Ahmad Tasal, një zëdhënës i forcave ushtarake afgane, “205 Atal Corps”.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 14:30 me atë lokale, teksa prej tij kanë mbetur të vrarë edhe shoferi i mjetit me një ushtar. Megjithatë, të palënduar nga ky incident kanë mbetur punonjës të tjerë të “NPR”-së, Tom Boëman dhe Monika Evstatieva.
Gilkey ishte një veteran në profesionin e tij dhe fitues i një çmimi për mbulimin e ngjarjeve nga Afganistani, por edhe zona të tjera konflikti.
“David ka mbuluar luftën, por edhe konflikte të ndryshme, në Irak dhe Afganistan që prej 11 shtatorit. Ai ishte i devotshëm në ndihmën ndaj publikut për t’u njohur me këto luftra, ndërsa dha edhe jetën duke ndjekur këtë angazhim”, tha Michael Oreskes, zv.president i Informacionit dhe drejtor editorial i “NPR”-së.
Rruga mes Marjah dhe Lashkar Gah është hapur vetëm kohët e fundit nga forcat e sigurisë, pas luftimeve tepër të ashpra në zonë me talebanët. Detajet e sulmit dhe vdekjes së gazetarit janë konfirmuar edhe nga komandanti i repartit ushtarak afgan, gjeneral Mohammed Amin. Helmandi ka qenë zonë e betejave të përgjakshme mes kryengritësve talebanë dhe trupave qeveritare të mbështetura nga NATO.
Ndërkohë, Afganistani rezulton si një prej vendeve më të rrezikshme për mediat dhe gazetarët, duke qenë se 27 reporterë kanë gjetur vdekjen atje që prej vitit 1992, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Top Channel