Radhë të gjata në QSUT, pacientët duhet të prenotojnë vizitat

05/06/2016 15:35

Në qendrën e konsultave të sapohapur në QSUT për t’u ardhur në ndihmë  pacientëve krijohen radhë të gjata per shkak se një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë që duhet të prenotojnë vizitën, por edhe se fluksi i kërkesave është i lartë.

“Vijmë këtu e nuk gjejmë doktorin. Vetëm kur e ngritëm zërin, erdhi”, thotë një pacient.

Ndërsa drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh: “Ka një kapacitet të caktuar për çdo mjek. Ne kemi vendosur për kabinetet me flukse ambulatore nga dy mjekë specialistë”.

Radhët  e gjata shpesh  krijohen sepse pacientët paraqiten të gjithë herët në mëngjes dhe kërkojnë të konsultohen vetëm me një mjek të caktuar, ndërkohë që për të ofruar shërbime ambulatore janë dy mjekë për një shërbim në çdo ditë të javës.
 
Për të prenotuar një takim me mjekun apo për një analizë diagnostikuese,  qytetarët mund ta bëjnë këtë edhe nga shtëpitë e tyre. Manstirliu shpjegon: “Mund të rezervojnë nëpërmjet linjës së gjelbër apo me anë të internetit. Kështu që mund të shmangin fluksin e mëngjesit, pasi të gjithë vijnë në mëngjes për të mbaruar punë, në një kohë që qendra është e hapur deri në orën 16:00”.

Në numurin falas duhet telefonuar vetëm nga numri fiks, ndërsa rezervimet mund të bëhen edhe përmes internetit.

Top Channel