Prokuroria: Nuk ka hetim për Berishën. Thirrjet për armë, jo vepër penale

05/06/2016 11:50

“Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot: Ju bëj thirrje që për sigurinë e tyre të armatosen. Të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, vatrat pasuritë e tyre”, kjo deklaratë e ish-kryeministrit Sali Berisha nga foltorja e parlamentit nuk është vepër penale, por liri e opozitës për t’u shprehur.

Ky është argumenti i Prokurorisë së Përgjithshme e cila konkludoi pas një muaji,  mos fillimin e procedimin penal ndaj ish-kryeministrit, të cilit liria për t’u shprehur  i kushtoi përjashtimin për 10 ditë  nga Parlamenti.

Kallëzimi i depozituar më herët nga 11 deputetë socialistë nën pretendimin se ish-kryeministri kishte lëshuar thirrje për t’u armatosur, nuk mund të konsiderohet vepër penale shpjegon organi qendror i akuzës.

Shfaqja e mendimit për armatosjen e popullsisë për të mbrojtur veten e familjen në kushtet kur në vlerësimin e deputetit të kallëzuar, shteti i ka lënë të lirë kriminelët dhe në funksion të saj, sugjeron përgatitjen e një ligji të tillë që justifikon pajisjen e tyre me armë, duke marrë si shembull SH.B.A-të, të cilat e kanë të lejuar mbajtjen e armëve të zjarrit.

Prokuroria e mbyll arsyetimin e saj me argumentimin “Pikëpamja, sipas të cilës shteti mund të lejojë pajisjen me armë e popullsisë në mënyrë ligjore, është një këndvështrim politik, i cili nuk është i ri, pasi ka eksperienca të tilla në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe SH.B.A-në, por kjo nuk do të thotë që ata politikanë të cilët e përqafojnë këtë kauzë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA