PD, Alibeaj: Rama është me Rroshin apo me qytetarët?

05/06/2016 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të shprehet publikisht nëse është me dekriminalizimin apo me krimin, në lidhje me çështjen e Elvis Rroshit.

“Edi Rama një ditë thotë që dekriminalizimi funksionon, por të nesërmen thotë se nuk e njeh dekriminalizimin. Këtë qëndrim ka mbajtur ai përmes zëdhënësit zyrtar që ka për këtë fushë, Elvis Rroshi. Kur doli në publik fakti se kishte dënim në Itali për përdhunim në grup, Rroshi njoftoi dorëheqjen dhe Edi Rama nxori kokën pasditen e 31 majit duke e quajtur të përfunduar shërbimin e kryetarit të tij në Kavajë. Por 3 ditë më pas, me gojën e Elvis Rroshit, Edi Rama tha se nuk e njeh dekriminalizimin dhe i hapi rrugën të dënuarit për përdhunim që të rikthehet në detyrë. Cilin Edi Ramë duhet të besojnë qytetarët, atë që thotë shërbimi i Rroshit përfundoi, apo atë që thotë Rroshi të rikthehet në detyrë?”, u shpreh Alibeaj.

“Ky është një problem më i madh, nuk është lojë kungulleshash. Ka të bëjë me ligjin, me të vetmen reformë të suksesshme në këto 3 vite që është dekriminalizimi. E pyesim sot publikisht Edi Ramën: a i qëndron deklaratës së 31 majit, ku ka shpallur të përfunduar shërbimin e Rroshit? Apo i qëndron deklaratës së 3 qershorit ku ka njoftuar rikthimin e Roshit? Ta thotë publikisht, është me dekriminalizimin, apo me krimin? Është me ligjin, apo me përdhunuesin? Është me qytetarët apo me trafikantin? Ta thotë sot, publikisht dhe me akte. Sa më shumë vonon shkarkimin e Rroshit dhe dorëzimin e tij para drejtësisë, aq më shumë i bind qytetarët se zgjedhja e tij është e palëkundur, se zgjedhja e tij është krimi, inkriminimi, trafikantët, tutorët, vrasësit.”, shtoi Alibeaj.

Top Channel