Papa Françesku miraton: Shkarkim peshkopëve neglizhentë ndaj abuzimeve

05/06/2016 00:00

Papa Françesku miratoi disa masa, të cilat parashikojnë shkarkimin e peshkopëve që keqmenaxhojnë rastet e abuzimit seksual të fëmijëve nga kleri.

Sipas dekretit të ri papnor, peshkopët që janë neglizhentë me priftërinjtë abuzues do të largohen menjëherë nga detyra.

Dekreti shpallet pas vitesh të tëra kërkesash nga viktimat e abuzimeve, për të nxjerrë para përgjegjësisë peshkopët që nuk kanë ndëshkuar priftërinjtë pedofilë, apo që kanë mbuluar krimet e tyre.

Sipas Papës, edhe ligjet aktuale për abuzimet do të ashpërsohen. Por, megjithëse Papa Françesku drejton Kishën Katolike prej më shumë se 3 vitesh dhe premtoi aksione të shpejta ndaj abuzimeve nga klerikët dhe mbulimit të këtyre rasteve, veprimet disiplinore kanë qenë sporadike dhe të ngadalta.

Dokumenti i ri i Papës vjen vetëm dy javë pas skandalit të një kardinali francez, që u akuzua se kishte mbuluar raste abuzimesh. Analistët thonë se, dokumenti i ri, veçse kërkon angazhim më të madh nga peshkopët që të bëjnë detyrën e tyre, nuk sjell ndonjë ndëshkim më të madh për zyrtarët e lartë të kishës, që kanë përgjegjësinë të hetojnë krimet brenda klerit.

Kisha Katolike romane, gjatë 15 viteve të fundit është detyruar të mbrohet nga skandalet që përfshijnë priftërinj, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me fëmijët, ndërsa këta të fundit janë transferuar më pas nga famullia në famulli, pa iu dorëzuar autoriteteve.

Top Channel