Mogherini: Drejtësia, fillim i ri në BE. Çdo deputet dhe parti mban përgjegjësi

05/06/2016 00:00

“Drafti legjislativ që është aktualisht përpara Parlamentit reflekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje të plotë me standardet europiane. Është thelbësore gjithashtu, që ky draft të miratohet nga një shumice prej 2/3-ve”.

Ky ka qenë qëndrimi i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, lidhur me reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila ka qenë e angazhuar këto ditë që Rama dhe Basha të arrijnë marrëveshje në takimin e së hënës.

Me anë të një deklarate për shtyp, ajo thekson se një reformë e thellë dhe tërësore ka qenë për një kohë të gjatë një kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Shqipërisë si dhe një kërkesë thelbësore për hapin e ardhshëm të vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Duke e cilësuar si një votim, për të cilin mban përgjegjësi të veçantë çdo politikan i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe çdo grup politik, Mogherini thekson se “reforma mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri në historinë tonë të përbashkët”.

“Ajo i hap rrugën një fillimi të ri, ndaj dhe presim që të gjithë forcat politike të shfrytëzojnë raundin e fundit të konsultimeve të ditës së hënë për ta miratuar këtë propozim”, shprehet Mogherini, e cila e mbyll deklaratën e saj me një mesazh të qartë për politikën shqiptare: “Qytetarët e Shqipërisë presin që lidershipi i tyre politik ta bëjë këtë gjë”.

Federica Mogherini ka qenë një ndër aktoret e rëndësishme ndërkombëtare që ditët e fundit ka bërë presion mbi politikën shqiptare për të gjetur konsensus në takimin e ditës së hënë mes Ramës dhe Bashës.

Siç transmetoi Top Channel, Mogherini pak ditë më parë ka patur një takim me tre komisionerë për çështjen e Shqipërisë.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe Ndihmëssekretarja e shtetit, Viktoria Nuland, e cila telefonoi si Bashën ashtu edhe Berishen. Por ajo që konsiderohet si ndërhyrja më e rëndësishme, është përfshirja e zyrës së Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Top Channel