Reagon PD: Rama mbron kriminelët

04/06/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Kryeministri Edi Rama në Forumin e Grave Socialiste.

“Për Edi Ramën, tipat si: tutorë, përdhunues, trafikantë droge, rrëmbyes personash, vrasës, nuk janë kriminelë. E thotë ditën kur çdo shqiptar, dhe veçanërisht çdo grua, vajzë, nënë, pret nga Edi Rama një ndjesë, një falje, pse ai mban në pushtet, vazhdon ta ushtrojë pushtetin me përdhunues e tutorë. Nuk kërkon ndjesë, nuk u zë as emrin në gojë. Ndërkohë që rroshi e bushi, prenga e ndoka, e dhjetra e qindra si këta që gjenden në krah të Edi Ramës, janë plagët e realitetit sot”, thuhet në reagimin e PD.

Opozita akuzon kryeministrin se nuk ka mbushur me kriminelë vetëm partinë e tij, por edhe zyrat publike, institucionet dhe Parlamentin dhe sipas PD, Rama sfidon shoqërinë dhe ligjin me një kosto për të.

“Ku janë kriminelët? Në çdo zyrë të pushtetit të Edi Ramës. Edi Rama ka zgjedhur të sfidojë shoqërinë, ligjin, dekriminalizimin, cdo normë morali në vend, duke afruar me shpejtësi fundin e tij, e bashkë me të të tutorëve, vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve të drogës”, thuhet në reagim.

Top Channel