Rama, deklaratë dy ditë para vizitës së Kotsiaz: Kemi kusht ligjin e luftës

04/06/2016 00:00

Dinjitet dhe reciprocitet. Mbi bazën e kësaj formule Shqipëria do të negociojë me Greqinë gjithçka do të vendosë në tryezën e bisedimeve javën e ardhshme ministri i Jashtëm grek.

“Nuk kanë kuptuar se kjo për ne nuk është një çështje revanshi, por kjo është një çështje dinjiteti”, Rama.

Për të shpjeguar domethënien e këtij qëndrimi, Edi Rama nuk mund të gjente një vend më të përshtatshëm sesa kongresi i PDIU-së, aleates qeverisëse, prioriteti numër 1, i të cilës është zgjidhja e çështjes çame dhe heqja e ligjit të luftës. Një ligj, që Edi Rama e përkufizoi si tabu, derisa ai mori drejtimin e qeverisjes.

“Palës tonë i ka mjaftuar në gjithë këto vite: Po ç’rëndësi ka, ai ligj është kot. Ne jemi miq kemi traktatin e miqësisë. Por, po të jetë kot, çfarë na kushton ta heqim? Dhe ne e kimi kusht. Për të çuar në një fazë të re marrëdhëniet me Greqinë, për të cilat jemi shumë të interesuar, heqjen e ligjit të luftës”, u shpreh Kryeministri.

Për reciprocitet foli edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, që quajti bashkimin kombëtar dhe zgjidhjen e çështja çame si yllin polar të partisë që drejton.

“Unë ju siguroj në këtë sallë se çështja çame do të zgjidhet, se amaneti i të parëve tanë do të na çojë deri në fund dhe unë sot dua të bëj në emër tuaj një betim: Reciprocitet minimalisht në trajtimin human të të vdekurve. Ne nuk do të lejojmë kërrkënd të ndërtojë varreza të reja në Shqipëri, nëse nuk do të na jepen varrezat e barbarizmave në Çamëri”, u shpreh Idrizi.

Mes vendeve ka disa çështje pa zgjidhur, por në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Kryeministri shqiptar beson se të dy vendet janë në kushtet kur mund të çlirohen nga e shkuara për të bërë një hap të madh përpara.

“Por kjo nuk fillon e mbaron tek deti, që ne nuk e negociojmë, se ai është deti i Shqipërisë. Por nuk mbaron këtu, vazhdon te fakti që çështja çame është një çështje për të cilën duhet të diskutojmë”, tha Kryeministri.

Kryeministri premtoi se qeveria do të mbështesë të gjithë përpjekjen ligjore ndërkombëtare, për të cilën PDIU ka kontraktuar një avokat të njohur.  

Top Channel