PD: Përgjimet përplasën Tahirin me vartësit e tij

04/06/2016 00:00

Partia Demokratike i është rikthyer çështjes së përgjimeve. Ajo thotë se përgjimi është bërë me dijeninë e Kryeministrit Edi Rama dhe kërkon vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka foli për një ‘përplasje’ mes ministrit Tahiri dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në lidhje me këtë çështje.

“Kjo shkelje brutale e ligjit dhe e kushtetutës është pranuar, mohuar e sërish pranuar nga ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, të cilët janë kapur në deklarime kontradiktore, gjë që dëshmon tensionin që ekziston mes tyre në lidhje me këtë skandal. Një herë Tahiri lë në baltë vartësit e tij, duke thënë se nuk është ai përgjegjësi. Pastaj vartësit e tij kërcënojnë se do të flasin, do të tregojnë, duke kërkuar mbrojtje e paprekshmëri, pasi prokuroria ka nisur hetimin, ndjekjen penale”, tha ai.

Kjo përplasje në sytë e opozitës, edhe publikut, sipas saj, ka pak rëndësi.

“Vendit dhe qytetarëve sot u intereson e vërteta rreth këtij krimi shtetëror. Të dalin para ligjit porositësit, kush e solli, kush e përdori, kë përgjuan, pse përgjuan, pse e mbajtën të fshehtë. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të tregojë vendosmëri e të mos lejojë pengimin e hetimit”, u shpreh Paloka.

Top Channel