Ndërkombëtarët në sulm, aktivitet i dendur deri ditën e hënë

04/06/2016 00:00

Se sa të rëndësishme janë dy ditët e mbetura për refomën në drejtësi, këtë e tregon niveli i lartë i zyrtarëve amerikanë dhe europianë të përfshirë në negociatat për miratimin e reformës.

Kjo u duk që të enjten, me deklaratën publike të komisionerit për Zgjerimin, që nga njëra anë kërkonte kompromisin, ndërsa nga ana tjetër vinte në dukje domosdoshmërinë për të siguruar dy të tretat e votave kushtetuese për miratimin e reformës.

Kulmi i pëpjekjeve nga partnerët deri tani është arritur me ndihmës-sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, e cila ka patur dy telefonata të njëpasnjëshme me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike.

Por Nuland nuk është zyrtarja e fundit e huaj që do të ushtrojë presion, në mënyrë që nga takimi i së hënës Rama-Basha të dilet me një “PO” të përbshkët për votimin e reformës në drejtësi javën e ardhshme.

Në Bruksel, Federica Mogherini ka patur një takim me tre komisionerë për çështjen e Shqipërisë dhe prej andej pritet një deklaratë e përbashkët që nxit kompromisin.

Nuk dihet ende me siguri se kush do të flasë në emër të Bashkimit Europian, por është e sigurtë se mesazhi i njehsuar do të jetë euro-amerikan dhe adresa do të jetë përsëri e njëjta: Partia Demokratike.

Por nuk mbaron këtu. I njëjti burim konfirmoi për Top Channel se në ofensivën finale do të përfshihet edhe zyra e kancelares Angela Merkel, e cila përmes njeriut të saj më të besuar për punët e jashtme dhe sigurisë, Kristof Heusgen do të veprojë e fundit në radhë, gjithnjë përmes telefonit, për të thënë çfarë do Gjermania.

Kristof Heusgen është ai që vepron gjithnjë në emër të Merkel kur ajo nuk preferon publicitetin, por që puna të jetë e kryer.

Top Channel