25-vjetori i krijimit të PS, festë në Elbasan; Balla: Kemi ende punë përpara

04/06/2016 00:00

Po festohet në Elbasan 25-vjetori i krijimit të Partisë Socialiste. Ish-nënkryetari Servet Pëllumbi vlerësoi rolin transformues të PS në këto 25 vite, si një forcë që promovon vlerat e social-demokracisë europiane.

Drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit, deputeti Taulant Balla falenderoi Gramoz Ruçin, Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Dritëro Agollin dhe Edi Ramën, të cilin e konsideroi kryeministrin më të mirë të Shqipërisë në këto 25 vjet.

“Së bashku kemi përpara shumë sfida që lidhen me forcimin e karakterit demokratik dhe natyrën reformiste të Partisë Socialiste, si një forcë moderne e së majtës së re europiane. Rritjen e kapacitetit tonë monitorues mbi cilësinë e funksionimit të institucioneve qendrore në territor; përmirësimin e ndërveprimit në koalicion me partnerët tanë, jo vetëm në qendër, por sidomos në bazë; thellimin e transparencës me publikun në çdo vendimmarrje; zgjerimin e rrugëve të komunikimit të partisë e të qeverisë me qytetarët; rritjen e mëtejshme të anëtarësisë dhe krijimin e një sistemi efikas informacioni të brendshëm, për të siguruar bashkëveprimin sistematik mes të gjitha niveleve të organizatës sonë, nga anëtari deri tek kryetari i partisë”, tha Balla.

Top Channel