Rroshi: Drejtësia italiane më nxjerr komplet të pastër. Do qëndroj në bashki

03/06/2016 00:00

Elvis Rroshi ka reaguar pasditen e së premtes në lidhje me deklaratat për një arratisje të tij nga vendi, duke postuar në rrjetin social Facebook foto të dokumenteve të lëshuara sipas tij nga drejtësia italiane, të cilat, siç thotë ai, e nxjerrin “komplet të pastër”.

“Siç edhe jeni në dijeni, me koshiencën time, ju tregova për një letër e cila më zuri në befasi disa ditë më parë. Nisur nga ai moment, i vënë ne kushtet si të isha vrasës, apo hajdut i Rrugës së Kombit, unë mendova se s’mund të vazhdoja detyrën time duke qenë në qendër të akuzave. Por pas vetëm 60 minutash më vjen nga Italia dëshmia ime e penalitetit e cila tregon të vërtetën që unë jam komplet i pastër”, thotë Rroshi në profilin e tij.

Në vijim të deklaratës së tij Rroshi thotë:

“Nga ai moment bëra valixhen gati dhe u nisa për në Itali me qëllim që betejës sime me drejtësinë t’i shkoj deri në fund, siç edhe u kam premtuar njerëzve. Kam 3 ditë këtu dhe posedoj dy dëshmitë e mia të penalitetit dhe çdo çertifikatë të mundshme të cilat tregojnë në dritën e diellit që unë s’kam patur probleme me drejtësinë italiane.

Duke qenë se jetojmë dhe punojmë me një shtet ligjor, kam vendosur që mos t’u besoj letrave të bakallit por çdo letre e cila ka vlerë ligjore dhe çdo element që e bën atë të vlefshme.

Ndaj, nisur edhe nga mijëra mesazhe që kam marrë nga votuesit dhe nga situata që më nxjerr të pafajshëm, kam vendosur të vazhdoj detyrën time me përulje kundrejt qytetarëve të mi.

Mandatin dhe detyrën e mrekullueshme të shërbimit ndaj qytetarëve nuk ma ka dhënë as Luli, as Saliu dhe as SHQUP-i. Ma kanë dhënë bashkëqytetarët dhe atyre do t’u bindem dhe shërbej deri në sekondën e fundit.

I bëj thirrje politikës që të mos merret vetëm me një kryetar bashkie, se unë as kam vrarë njerëz në Gërdec, as kam vrarë njerëz në bulevard, as kam vrarë shpresën e njerëzve, por kam ringjallur shpresën në qytetin tim, kam punuar, investuar dhe shtrirë dorën tek çdokush që më ka dhënë ndihmë, qoftë edhe për një pemë për qytetin tim.

Do kthehem në Shqipëri së bashku me skuadrën e avokatëve të mi italianë për të vënë pikat mbi “i” me drejtësinë dhe me publikun. Siç edhe e ka merak Berisha, dëshmitë janë edhe me Elvis edhe me Ervin”.

FOTO GALERI
1/1
Dëshmia e penalitetit

Top Channel