PD protestë në Divjakë: Kryebashkiaku, tutor prostitutash në Itali

03/06/2016 00:00

Qindra demokratë dhe qytetarë të Divjakës protestuan sot para zyrave të Bashkisë duke kërkuar hetim për akuzat për shfrytëzim prostitucioni të ngritura ndaj kryebashkiakut Fredi Kokoneshi.

Protestës i është bashkuar edhe Partia Demokratike, sipas të cilës ka qenë vetë sekretari personal i Kokoneshit që ka deklaruar se shefi i tij ka qenë objekt procedimi për prostitucion në Itali, gjë të cilën kryebashkiaku nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Sekretari i aksionit qytetar në PD, Ervin Salianji dhe eksponentë të tjerë të partisë kryesore të opozitës kërkuan që Kokoneshi të mbajë përgjegjësi për akuzat dhe fshehjen e të dhënave.

“Siç e shikoni, ne jemi në rrugëtimin tonë bashkë me qytetarët për t’i treguar Edi Ramës dhe qeverisë se ku i ka futur kriminelët që kemi prej 2 vitesh e gjysmë e që i kemi denoncuar si Parti Demokratike. Sot, ish-drejtuesi i Partisë Socialiste të zonës dhe miku i ngushtë i kryebashkiakut të Divjakës e ka akuzuar Fredi Kokoneshin si një person që në vitet 95-96 ka trafikuar dhe ka bërë tutorin për vajza në rrugët e Italisë. Në vetëdeklarimin e tij, Kokoneshi nuk e ka përmendur këtë dhe ne sot i bëjmë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet dhe t’i ndërpritet menjëherë mandati kryebashkiakut të Divjakës për deklarimin të rremë sipas ligjit të dekirminalizimit”, deklaroi Salianji.

Top Channel