Oferta evropiane për PD; PS përgatitet të lëshojë, por thelbi mbetet

03/06/2016 00:00

Qetësia që po i paraprin takimit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës është vetëm sipërfaqësore. Një burim i besueshëm në Bruksel konfirmoi për Top Channel se pa zhurmë dhe bujë partnerët po ndërmjetësojnë intensivisht takimin e së hënës.

Qëllimi i tyre është një takim që të prodhojë konsensus. Në të tilla raste, palët në negociata janë pothuajse hermetike, por Top Channel ka mundur të depërtojë në disa të dhëna të rëndësishme.

Së pari, palët po negociojnë mbi një draftmarrëveshje për të cilën po këmbëngulet për kompromis. Draftmarrëveshja është produkt i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, të cilët janë përfshirë në nivele shumë të larta të administratës në Bruksel dhe Uashington, duke kapërcyer kështu ambasadat e tyre në Tiranë.

Këtë të premte, Federica Mogherini ka patur një takim në Bruksel me 3 prej komisionerëve të KE, atë të Zgjerimit, të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Ndërsa Victoria Nuland ka patur një telefonatë me Lulzim Bashën në Tiranë.

Negociatat kanë në qendër një ofertë të re, që, siç përshkruhet, synon të lërë të kënaqur të dyja palët. Detajet e kësaj pakete kompromisi mbeten të panjohura, por të enjten në emisionin “Top Story”, Oerd Bylykbashi, pjesë e këtyre negociatave, la të kuptohet se diçka mund të lëvizë tek kërkesa për thjeshtimin e arkitekturës.

“Problemi është që kërkohet një drejtësi efikase, transparente, jo klienteliste dhe jo e korruptuar. A arrihet kjo me këtë që propozon maxhoranca?! Janë 13 institucione që krijohen, një pyll i tmerrshëm në kokën e drejtësisë, ku do të hyjë drejtësi dhe do të dalë dredhësi. 13 institucione që përplasen me njëra-tjetrën vazhdimisht. Propozimi i tyre jep mundësinë që 2/3 e institucioneve të dominohen nga Kuvendi, që do të thotë që e kapin sot dhe e dominojnë për 10-20 vitet e ardhshëm sistemin e drejtësisë. Ne themi që vetingu dhe antikorrupsioni janë të padiskutueshme, por në draft institucionet janë 13. Kështu siç është propozuar, në krye të 5-10 viteve ky sistem shembet”, tha Bylykbashi.

I njëjti burim në Bruksel thotë se mazhoranca është e gatshme të pranojë ndryshimin e formulës për shumicën e cilësuar, si dhe eliminimin e 2 prej 4 insitucioneve që propozon opozita. Por pa prekur Këshillin e Emërimeve në drjetësi, si dhe insitucionin ndërkombëtar që bën skanimin e pasurisë dhe punës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deri të hënën ka ende shumë kohë për negociata, por burimi i Top Channel konfirmon se të dyja palët janë vënë në dijeni se kjo është përpjekja e fundit e Uashingtonit dhe Brukselit për të arritur një kompromis dhe se refuzimi do të thotë shkelje e vijës së kuqe.

Se çfarë do të ndodhë nëse dy palët shkelin këtë vijë nuk dihet akoma. Ambasadori amerikan ka heshtur në më shumë se dy raste kur njëra nga palët ka lëvizur nga vija e dakordësisë. Por, siç thotë një fjalë e urtë, ‘pas heshtjes vjen furtuna’. Për këtë gjithësesi, duhet të pritet deri ditën e hënë.

Top Channel