Deklarata e Rroshit, PD: Rama lëshoi banditët nga zinxhirët

03/06/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Elvis Rroshit, që pretendonte se nuk kishte asnjë problem me drejtësinë italiane.

“Sonte në të ngrysur, Edi Rama ka lëshuar nga zinxhirët dy prej banditëve të tij të rracës, Elvis Rroshin dhe Arben Ndokën, të dy të dënuar në Itali, njëri për përdhunim, tjetri për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, dhe i ka hedhur në sulm kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas saj, Rroshi e ka bërë njoftimin se nuk e quan dorëheqjen, pasi u arratis për 3 ditë kur u zbulua vendimi i gjykatës italiane.

“Do kthehem – thotë i dënuari për përdhunim, i dënuar edhe në Zvicër për drogë, edhe pse kur i plasi bomba në dorë Edi Rama e quajti të përfunduar shërbimin e tij”, vijon deklarata e PD.

“Do kthehem – thotë edhe Arben Ndoka, i cili kërcënon opozitën dhe thotë se ka përveshur mëngët e tij kriminale për zgjedhjet që po vijnë. E përmendi Departamenti amerikan i Shtetit si turp që ai ishte deputet, por njeriu që Rama i ka besuar PS-në e Lezhës, thotë se po kthehet”, reagon partia kryesore e opozitës.

Sipas saj, këta persona janë zëri i kryeministrit Rama, janë grahmat e tij të fundit dhe klithmat e një pushteti që po jep shpirt, sepse krimi dhe Shqipëria nuk do të rrinë më bashkë.

“Ta harrojë Rama se do të pengojë dekriminalizimin, se do të prekë votën, duke zgjidhur nga zinxhirët këta banditë rrace. Ai ka mbetur vetëm, fillikat dhe rrethohet vetëm nga këta trafikantë, tutorë e vrasës. Ka gjithë popullin përballë”, mbyllet reagimi i PD.

Top Channel