Top Story, a po funksionon dekriminalizimi?

02/06/2016 00:00

Afati për vetëdeklarimin në kuadër të ligjit të dekriminalizimit është mbyllur. Kjo konsiderohet faza e parë e këtij ligji, që është rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike dhe publike, sidomos këto ditë me dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Kavajës. Por sa po funksionon ky ligj?

Kjo ishte tema e Top Story-t këtë të enjte me të ftuar deputetët Taulant Balla e Oerd Bylykbashi dhe Ervin Salianji dhe Erisa Spiropali.

Bylykbashi tha se ligji ka nisur të funksionojë që në momentin që ishte draft, ndërsa e quajti të përmbyllur me sukses fazën e parë, atë të vetëdeklarimit.

“Ka mbaruar kjo fazë me sukses. Ligji u ka dhënë mundësinë që të bëjnë një vepër penale të dytë duke mos deklaruar dhe rasti është dhe ka nisur ndjekja penale ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Deri tani ligji me hapat procedurial ka funksionuar. Jo vetëm kaq, por dha efekt qëkur ishte në fazën e draftit”, tha ai.

Sa i takon rastit të Elvis Rroshit, Bylykbashi tha se akti i dorëheqjes së tij ishte zero, pasi ai është shkarkuar automatikisht nga ligji në fjalë.

“Ai kishte konsumuar veprën penale në moshën 17-vjeçare në ’92. Dënohet kur ishte 20 vjeç nga gjykata e Campo Basos, që do të thotë se fakti ekzistonte dhe kjo bën që dorëheqja të vlen zero. Atij i ka mbaruar mandati për shkak të ligjit dhe KQZ duhet të mblidhet dhe të konstatojë këtë fakt”, u shpreh Bylykbashi.

Taulant Balla këmbënguli në kërkesën e PS, tashmë edhe e zyrtarizuar në Prokurori për Flamur Nokën. Sipas PS, Noka nuk ka vendosur në formular dëbimin nga ish-Jugosllavia.

“Vetë Flamur Noka ka deklaruar që është dëbuar nga Jugosllavia në ’91. Në formular ka patur mundësi të thoshte ‘po’ ose ‘jo’, por nuk ka bërë asnjë nga këto. Ne e bëmë formularin për të kuptuar që ndoshta atje mund të ketë bërë një vrasje, një përdhunim dhe një vjedhje”, tha Balla.

Por Bylykbashi thotë se ligji nuk përfshin rastin e Nokës.

“ Ligji parasheh si rrethanë përfundimi të mandatit, kur dikush është dëbuar nga një shtet i BE, SHBA, Australia dhe Janadaja, plus një listë vendesh që Kuvendi nuk e ka bërë, por mund ta shtojë më pas”, u shpreh ai.

Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, të cilin e akuzoi se ka mbushur listën e deputetëve me kriminelë, ndërsa Oerd Bylykbashi tha se gjatë fazës së negocimit për ligjin është kërkuar nga PD që tek dekriminalizimi të përfshihen edhe deputetët që u hiqet mandati me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Sekretarja për Rininë në PS tha se PD ka nisur një garë me numërimin e kriminelëve.

“Refuzoj të jem pjesë e një debati ku numërohen kriminelët. Duket sikur është një garë për t’ja hedhur njëri-tjetrit topin dhe këtë garë e ka nisur Partia Demokratike  në podiumet e saj. Nuk kanë baltosur politikën dhe PS, por kanë baltosur Shqipërinë. Kanë deklaruar që ka 19 kriminelë të PD në Kuvendin e Shqipërisë. Vetëdeklarimi ka vërtetuar që nuk ka asnjë deputet kriminel aktualisht të PS në Kuvend. PD po luan teatër me këtë ligj dhe pretendon që ta zbatojë vetëm PS dhe t’i shmanget vetë”, tha ajo.

Taulant Balla akuzoi edhe Sali Berishën që ka shkelur ligjin në plotësimin e formularit.

“Ligji detyron që të deklarohet çdo e dhënë. Marrim formularin e Sali Berishës, që ka deklaruar për ditëlindje 15 tetor 1944, ndërkohë që deri më 2009 ka patur 1 korrik 1944. Në tetor 2009, një oficer i shoqërimit të Berishës paraqitet në zyrën e gjendjes civile të njësisë dy dhe i thotë punonjëses se Saliu e do datëlindjen ta ketë më 15 tetor dhe te regjistri bëjeni 15 tetor nga 1 korrik”, u shpreh ai.

Salianji tha se shoqëria shqiptare del më e shëndoshë nga ky proces, ndërkohë që shtoi se do të kërkojë verifikim për formularin e Taulant Ballës, deklaratë që deputeti socialist e mbështeti duke e sfiduar që ta çojë.

Sekretarja për Rininë në PS ka një tjetër kendvështrim. Sipas saj, ligji po fryhet e tejfryhet nga Partia Demokratike me një objektiv të vetëm; të shtyjë reformën në drejtësi.

Top Channel