
Megjithëse fushatat dhe aksionet kundër kanabisit kanë nisur më herët këtë vit, duket se kultivimi i tij do të jetë problem në të gjithë territorin edhe për 2016-n.
Vetëm gjatë muajve prill-maj, sipas të dhënave të policisë, bimë hashashi të kultivuara ose në kubik janë kapur pothuajse në të gjithë skajet e vendit. Bëhet fjalë për më shume se 60 mijë rrënjë, ndërsa rasti më i fundit i kultivimit ishte vetëm 15 kilometra larg kryeqytetit.
Policimi në komunitet ka bërë të mundur që edhe në zona të thella si në Melcizë të Zallherrit, policia të arrijë të bllokojë rrënjët e hashashit. Lajm i keq është se tashmë bimët po mbillen edhe në afërsi të Tiranës.
Ndonëse policia tha se, në fund të majit do të nisë monitorimi nga ajri në bashkëpunim me “Interforcën” italiane, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Po ashtu, pak kohë më parë zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato konfirmoi në një intervistë për Top Channel se trafikantët kanë futur në vend edhe një fare të re, e cila e ka reduktuar në 45 ditë zhvillimin e bimës. Vitin e kaluar, policia thotë se ka asgjësuar rreth 690 mijë rrënjë bimë kanabisi.
SHKODËR 1050
PUKË 8900
VLORË mbi 15000
SARANDË 20000
TIRANË 120
GJIROKASTËR 2100
TEPELENË 6000
KRUJË 1500
ELBASAN 3900
BERAT 207.
Top Channel