Reformë edhe pa opozitën? Hahn: Kilometri i fundit, tani 2/3-tat e votave

02/06/2016 09:30

Komisioneri Johannes Hahn kërkon nga Shqipëria miratimin dhe zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi. Hahn, në një deklaratë të tij thotë se, përshëndet punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri, që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si “Euralius”, “OPDAT” apo “Komisioni i Venecias”.

Johannes Hahn: Një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Kjo, jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve europiane dhe procesit të integrimit europian.

Hahn në deklaratë, pa përmendur fjalën konsensus, flet për nevojën e sigurimit të shumicës prej dy të tretave të votave për miratimin e reformës.

Johannes Hahn: Tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash, që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese.

Hahn iu drejtohet palëve duke specifikuar opozitën, që të vendosin interesat e vendit të tyre dhe qytetarëve mbi interesat e tyre individuale.

Johannes Hahn: Të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draftreformës të pranuar ndërkombëtarisht. Ditët e ardhshme do të vendosin, nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Europian, apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve.

Top Channel