Presidenti Nishani dekorohet nga Presidenti i Bullgarisë

02/06/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani u dekorua nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, me urdhrin më të lartë të Republikës së Bullgarisë “Stara Planina” të Gradës së Parë, me motivacion “për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare”.

Presidenti Nishani e falënderoi Presidentin e Bullgarisë për vlerësimin dhe mirënjohjen dhe u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe miqësia mes popullit shqiptar dhe atij bullgar, janë marrë dimensione të reja bashkëpunimi.
 
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke shprehur bindjen se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.
 
Presidenti Nishani e siguroi Presidentin e Bullgarisë Plevneliev për vullnetin e Shqipërisë për t’i zhvilluar e forcuar më tej marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, në dobi reciproke, por edhe për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Top Channel