PD reagon pas deklaratave të Taulant Ballës

02/06/2016 00:00

Pas prononcimit të fundit për mediat nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë rastin e deputetit demokrat Flamur Noka, ka reaguar me anë të një deklarate edhe Partia Demokratike.

“Flamur Noka në vitin 1990 bëri zgjedhjen e tij, pa rezerva e frikë, në favor të lirisë. Theu perden e hekurt. Ata e kthyen e ia dorëzuan Fatmir Xhafës, i cili së bashku me Sigurimin e Gramoz Ruçit, kishin për detyrë t’i bënin hetuesinë, ta demaskonin e ndëshkonin armikun e regjur të Partisë dhe Atdheut socialist, 19 vjeçarin Flamur Noka. Pas kësaj, fatin e tij e kishte në dorë personalisht shoku Fehmi Abdiu, kryetar i Gjykatës Popullore të Kukësit, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të administronte në dosje edhe opinionin me shkrim të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Kukësit, shokut Sulejman Bushati. Më tej, “armiku” 19 vjeçar Flamur Noka, kishte të drejtën, identik si Havzi Nela, t’i kërkonte mëshirë shokut Kristaq Rama, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të firmoste “ekzekutim me varje në litar”, thuhet në reagimin e PD.

Më tej në deklaratë theksohet se, për fat të mirë, të gjithë këta persona nuk e patën kohën e duhur të mbyllnin ciklin e përdhunimit në grup të dinjitetit njerëzor dhe dëshirës për liri, pasi në dhjetor të vitit ’90 u shembën e u fshehën skutave.

“Ndaj, Flamur Noka sot nuk është në një varr pa emër, dhe të njëjtët monstra, e kanë përballë në çdo të pabërë që po i përsërisin prapë këtij populli”, shkruhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu PD thotë se formulari i dekriminalizimit, është konceptuar që secili prej zyrtarëve të këtij vendi t’i rrëfehet opinionit publik për krimet e rënda që mund të ketë kryer, domethënë për: përdhunimet, vrasjet, trafikimin e drogës e të prostitutave.

“Shumë prej këtyre bëmave i ka kryer dhe Taulanti i Partisë, ndaj të cilit nuk mungojnë denoncimet dhe dëshmitë”, thotë PD.

Top Channel