
Një aktivitet i rinisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim ka nxjerrë në pah një krisje lokale të aleancës me socialistët. Nga Durrësi, Lefter Koka la të kuptohej se nuk po respektohej marrëveshja parazgjedhore, në bazë të së cilës Vangjush Dako u zgjodh në krye të Bashkisë së Durrësit edhe me votat e LSI-së.
“Dhamë një kontribut shumë të madh. Bëmë që kandidati i koalicionit të jetë sot kryetar i Bashkisë Durrës. Nuk bëmë keq, sepse pranuam të ishim aleatë me një forcë politike, bëmë detyrën tonë funksionale. Por, besoj se nëse marrim përgjigje të kundërt me atë që kemi rënë dakord në aleancën parazgjedhore, kur ndryshojnë emocionet e motivet unë besoj që këtu humb serioziteti”, tha Lefter Koka.
Zoti Koka, anëtar i qeverisë, nuk dha detaje se kush dhe për çfarë nuk po tregohet seriozitet, por tha qartë se LSI-ja i respekton paktet politike.
“Por ne do të vazhdojmë të ngelemi të njëjtë, të respektojmë aleancat, sepse respektojmë veten”, deklaroi Koka.
Lëvizja Socialiste për Integrim thotë se synon që në Durrës të shndërrohet në forcë të parë politike në zgjedhjet e ardhshme.
Top Channel