Idrizi: Greqia të kërkojë falje për gjenocidin ndaj çamëve

02/06/2016 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në fjalën e mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje kërkoi një shpjegim në lidhje me arsyet e vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Shqipëri. Idrizi theksoi se Greqia së pari duhet të heqë dorë nga ligji i luftës dhe të kërkojë falje për gjenocidin ndaj çamëve.

“Kam vendosur të flasë sot për një arsye kryesore. Për pak ditë ministri i Jashtëm i Greqisë do vizitojë Shqipërinë. Nuk dua të helmoj atmosferën midis dy vendeve tona, por intimidimi në kompleks nuk na ka ndihmuar që të kalojmë këto probleme”, deklaroi Idrizi.

Duke u shprehur i vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve me fqinjin tonë, kreu i PDIU vlerësoi megjithatë se, çështja çame është një çështje që duhet zgjidhur.

“Greqia në mënyrë të paprecedentë mbajti jo thjesht ligjin e luftës, por edhe gjendjen e luftës. Pse është mbajtur në këmbë ligji i luftës? Pasi ka dashur të mbajë jugun e Shqipërisë, të bllokojë pronat e shqiptarëve edhe pas nënshkrimit të traktit të miqësisë rreth 20 vjet më parë, Athina mbajti sërish ligjin e luftës”, tha Idrizi.

Përveç kësaj, vijoi ai, qeveria e Athinës nuk lejon lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Çamërisë. “Greqia nuk spastroi vetëm shqiptarët e Çamërisë, por edhe sllavët dhe hebrenjtë. Ne nuk kërkojmë asgjë anti-historike. Ne kemi pasur njësitë tona partizane në Greqi dhe batalionin ‘Çamëria’ në Shqipëri. Greqia duhet të heqë dorë nga ligji i luftës dhe të kërkojë falje për gjenocidin ndaj çamëve, të cilët nuk hyjnë dot as sot në Greqi, sepse në pasaportën e tyre është shkruar ‘Çamëri’”, deklaroi Idrizi.

Bushati: Gati për çdo komunikim që nuk cënon marrëdhëniet tona

Në përgjigje të deklaratës së kreut të PDIU lidhur me çështjen çame, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u shpreh i gatshëm për çdo lloj komunikimi lidhur me këtë çështje që nuk cenon marrëdhëniet tona diplomatike.

“E vlerësoj kontributin tuaj politik, qytetar, individual dhe të gjitha dijet e akumuluara ndër vite të njerëzve të komunitet çam. Ky 45-vjetor i rivendosjes së marrëdhënieve me Greqinë është rast i mirë për vlerësuar marrëdhëniet aktuale dhe për të vendosur sfidat e ardhshme. Unë jam i gatshëm për çdo lloj komunikimi që nuk cenon marrëdhëniet tona diplomatike”, tha Bushati.

Në përgjigje të kërkesës së Idrizit për të qenë i pranishëm në takimin e së hënës me ministrin e Jashtëm grek, Bushati u shpreh se takimi është i hapur dhe Idrizi si zv/kryetar i Kuvendit është i lirë të bëhet pjesë. Gjithashtu, Bushati ritheksoi se rezoluta çame është prioritet i punës së përditshme të tij dhe ministrisë së tij.

“Nuk kemi asnjë diferencë sa i përket çështjes çame, për faktet historike, për mënyrën e  të shprehurit sigurisht që kemi. Sa i përket aktivitetit, mesa di unë është një aktivitet i konceptuar me studentë dhe profesorë. Nuk shoh asnjë problem për pjesëmarrjen tuaj si zv/kryetar i kuvendit. Dera e ministrisë është e hapur jo vetëm për PDIU, por për të gjitha shoqatat që duan të japin një kontribut të rëndësishëm për këtë çështje. Dera jonë mbetet e hapur,  sa herë ju përmendi rezolutën, ajo është pjesë  e punës sonë të përditshme”, tha Bushati.

Nikolla: Jo komision shqiptaro-grek për tekstet shkollore

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi e vijoi debatin me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, duke i kërkuar asaj se, çfarë thuhet për Çamërinë në tekstet shkollore.

Nga ana e saj, Nikolla tha se, nuk është shprehur për çështjen çame, por përjashtoi ngritjen e një komisioni Shqipëri-Greqi për tekstet.

Top Channel