Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç dhe familja e tij zotërojnë 7 prona me vlerë mbi 1 milion euro në kryeqytetin serb, Beograd, ndërsa së fundmi shitën një të tetë.
Dy nga apartamentet u blenë nga shteti në vitin 1990, me çmime të arsyeshme. Dhe sërish, deklarata e Vuçiç për vlerën e pronësisë së tij, të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Antikorrupsion të Serbisë tregon se ai është një nga zyrtarët më të varfër në rajon.
Ai raporton se zotëron vetëm një apartament-studio 30 metra katrorë dhe asnjë pronë tjetër, as makina, as kompani e as kursime në bankë. Rroga e tij mujore është 1 mijë euro, kështu që edhe blerja e apartamentit-studio duhet të ketë qenë e vështirë për të.
Gjithësesi, familja e Vuçiç zotëron një numër të madh asetesh në Beograd, që janë kryesisht apartamente në zonat më të shtrenjta të kryeqytetit – raporton agjencia OCCRP.
Bashkëshortja e tij zotëron një apartament me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë në kompleksin rezidencial Belville. Ajo e bleu atë nga një biznesmen që opozita deklaron se është i afërt me qeverinë.
Ndërkohë, nuk dihet se kush zotëron një apartament prej 118 metra katrorë i ndodhur në kompleksin tregtar YUBC, të cilin Vuçiç e bleu nga shteti në vitet ’90.
Edhe pse ai ia dha atë ish-bashkëshortes, që aktualisht jeton aty, kontrata nuk i është dhënë kurrë Zyrës së Pronave dhe për rrjedhojë Vuçiç është ende pronari zyrtar.
Top Channel