Drejtësia, Bylykbashi: Synohet kapja; Balla: Po s’e miratuam, humbasim 3 vjet kohë

02/06/2016 00:00

Qershori ka hyrë dhe është muaji përgjatë të cilit ndërkombëtarët kanë kërkuar me ngulm miratimin e reformës në drejtësi. Por palët mbeten ende larg konsensusit dhe ajo që i ndan këtë herë është arkitektura e sistemit.

Në pjesën e tretë të Top Story-t, Oerd Bylykbashi ripërsëriti qëndrimin e opozitës për një reduktim të institucioneve dhe tha se synohet kapja e sistemit përmes emërimit të 2/3 të anëtarëve të institucioneve të reja nga Kuvendi.

“Problemi është që kërkohet një drejtësi efikase, transparente, jo klienteliste dhe jo e korruptuar. A arrihet kjo me këtë që propozon maxhoranca?! Janë 13 institucione që krijohen, një pyll i tmerrshëm në kokën e drejtësisë, ku do të hyjë drejtësi dhe do të dalë dredhësi. 13 institucione që përplasen me njëra-tjetrën vazhdimisht. Propozimi i tyre jep mundësinë që 2/3 e institucioneve të dominohen nga Kuvendi, që do të thotë që e kapin sot dhe e dominojnë për 10-20 vitet e ardhshëm sistemin e drejtësisë. Ne themi që vetingu dhe antikorrupsioni janë të padiskutueshme, por në draft institucionet janë 13. Kështu siç është propozuar, në krye të 5-10 viteve ky sistem shembet”, tha ai.

Por Taulant Balla akuzoi opozitën se nxjerr pretekste për ta vonuar këtë reformë. Ai tha se nëse nuk miratohet brenda qershorit, Shqipëria humbet 3 vjet në procesin e integrimit në BE.

“Çdo herë del një gjë e re nga PD. Komisioneri ka thënë qartë që reforma është çelësi i hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe nëse e bëjmë në qershor, kemi mundësi që në tetor të rekomandohet hapja e negociatave të anëtarësimit, nëse nuk e bëjmë tani, humbasim 3 vite kohë”, u shpreh Balla.

Top Channel