
Në kulmin e hetimeve nga Prokuroria e Vlorës për prona të tjetërsuara përmes falsifikimeve, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmata zbarkojnë në qytetin bregdetar.
Gjatë një takimi me kryeprokurorin e Vlorës, Ramadan Troci kryefjala e takimit ka qenë sekuestroja e vendosur në 220 hektarë tokë në Gadishullin e Karaburunit.
Prokurorët po diskutojnë që dosja “Karaburuni” me pesë të arrestuar dhe një tjetër në kërkim policor të transferohet për hetime të mëtejshme nga Prokuroria e Vlorës në kompetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ne dyshojmë, thanë burimet, se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, i cili ka të implikuar punonjës të hipotekave dhe në gjykatën e këtij rrethi, që përmes falsifikimit ndryshonin pronësinë e tokave në Vlorë.
Arrestimet më të fundit për këtë dosje dërguan në qeli edhe Blerina Dhramin ish-nëpunëse në Hipotekë, tashmë avokate në këtë qytet. Më herët ishin arrestuar një avokat, noterja që përgatiti dosjen dhe u shpall në kërkim një biznesmen.
Sekuestrimi i tokës me vlerën 100 milionë euro është episodi i tetë i bllokimeve disa milionëshe të tokave në këtë rreth, pas atyre në Himarë dhe Palasë.
Prokuroria e Vlorës thotë se përveç falsifikimit në dosjen Karaburuni ka dyshime se janë pastruar para. Edhe më herët Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, por edhe ministri i Drejtësisë kanë ngritur shqetësimin për tjetërsimin e pronave përmes falsifikimit në qytetin e Vlorës, krim i cili ka sjellë edhe ngjarje të tjera.
Top Channel