Dekriminalizimi, palët përplasin “Nokën” me “Rroshin”

01/06/2016 11:55

Takimi i pritshëm me Edi Ramën nuk e ka zbutur aspak gjuhën politike të Lulzim Bashës. “Tutori i Elvis Rroshit është Edi Rama”, thotë Basha.

Përshkrimin e kryeministrit për kryebashkiakun e dorëhequr të Kavajës, Lulzim Basha e cilësoi si një poshtërim të dytë që Rama u bën shqiptarëve.

“Unë nuk besoj se qindra, mijëra djem e të rinj shqiptarë që ndodhen sot në emigracion, apo që kanë nisur emigracionin në vitet ’90 dhe që sot janë burra me familje, janë si Elvis Rroshi. Unë nuk besoj se qindra e mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë në përdhunime në grup, apo në trafik droge e çështje të tjera të këtilla. Prandaj ky është një poshtërim i dytë që Edi Rama u bën shqiptarëve, në veçanti vëllezërve dhe motrave tona në emigracion”, tha më tej Basha.

Dhe megjithëse me Ramën pritet të takohet të hënën, Lulzim Basha e quan atë një arkitekt të bashkëqeverisjes me krimin dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesa për largimin e tij.

“Kjo tregon qartë se largimi i Elvis Rroshit, përtej të qenit një frut i hidhur për ta, por i ëmbël për shqiptarët, i ligjit për dekriminalizimin, është tërësisht i pamjaftueshëm sa kohë që arkitekti i kriminalizimit të politikës jo vetëm nuk shfaq pendesë, por vazhdon ta mbrojë e promovojë krimin”, deklaroi Basha.

Por pak më vonë, Partia Socialiste reagoi duke i kërkuar Partisë Demokratike të kalojë nga fjalët tek veprat për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit tek deputetët e saj.

“Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete serbe. Ai ka qenë i ndaluar dhe ka gënjyer në formularin që ka plotësuar vetë për dekriminalizimin. Partia Demokratike duhet të veprojë menjëherë, pasi të gënjesh nëpërmjet formularit përbën vepër penale që dënohet nga ligji”, deklaroi PS.

Partia Demokratike i quajti absurde këto sulme dhe i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga mbrojtja e të akuzuarve për përdhunim dhe trafik droge dhe të dorëzojë të inkriminuarit e tjerë, që, sipas saj, drejtojnë bashkitë, policinë dhe poste kyçe në administratë.

Top Channel