Viktimat e dekriminalizimit, ikin 18 këshilltarë bashkiakë

31/05/2016 00:00

Në dokumentacionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultonin se 48 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin nuk kishin një dokumentacion të rregullt.

Por letrat u verifikuan me imtësi dhe u pyetën disa prej këshilltarëve që kishin ardhur edhe në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezultoi se vetëm gati një e treta e tyre ishte në kushte flagrante të shkeljes së ligjit të dekriminalizimit.

Mandati iu hoq 18 këshilltarëve bashkiakë, të cilët nuk e kishin dorëzuar fare formularin e vetëdeklarimit, ndërsa pjesa tjetër ose e kanë dorëzuar në institucione të tjera, për shkak se kanë edhe një punë të dyte, ose e kanë dorëzuar një apo dy ditë pas afatit zyrtar.

Për të gjithë këta u mor vendimi unanim që formulari t’u pranohej, për shkak se siç u arsyetua, vullneti politik individual mbizotëron mbi afatin kohor.

Mandatet e ndërprera të 18 këshilltarëve bashkiakë u përkasin edhe mazhorancës, edhe opozitës. 4 prej tyre janë socialistë, 6 janë demokratë dhe pjesa tjetër janë aleatë të dy forcave të mëdha, ku bie në sy se LSI nuk ka asnjë këshilltar me mandat të ndërprerë.

Top Channel