Tiranë, eksploziv pallatit

31/05/2016 00:00

Sektori për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 2 po vijojnë hetimet mbi shpërthimin e fuqishëm rreth një orë e gjysmë pas mesnate, në një pallat 13-katësh në rrugën “Margarita Tutulani”, në kryeqytet.

Rreth 500 gramë tritol mendohet të jetë vendosur në korridorin e katit të pestë të pallatit, pranë banesës së shtetasit Naim Kaçorri. Ky i fundit ka mbajtur më parë disa detyra të rëndësishme, por ka mohuar të ketë qenë shenjestra e sulmit.

Ndërkohë, shpërthimi i fuqishëm ka alarmuar banorët e zonës dhe ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale në shumicën e apartamenteve.

Ekspertë të policisë u kthyen mëngjesin e së martës në vendgjarje dhe sekuestruan pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë, të cilat mund të ndihmojnë zbulimin e autorit. Policia dyshon se sasia e tritolit ka qenë e lidhur me fitil përcjellës dhe autori nuk ka patur për qëllim të lëndojë njerëz, por të dërgojë një mezash dhe pikërisht ndaj është zgjedhur ora 1:30 pas mesnate.

Burime nga policia po ashtu pohojnë se autori mund të ketë ngatërruar pallat, pasi në atë zonë jetojnë disa persona të tjerë problematikë.

Top Channel