Protestë pro Rroshit. Pas drejtësisë, ish-kryebashkiaku premton rikthimin

31/05/2016 00:00

Anëtarë të Partisë Socialiste, punonjës bashkiakë dhe simpatizantë të kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi, dolën në mbështetje të tij mbrëmjen e së martës.

Ata hodhën parulla kundër ish-kryeministrit Berisha, vetë Roshi tha se do të fillojë sërish betejën ligjore për t’u kthyer në detyrë, ndërsa deklaroi se, do të jetë sërish kryetar i Bashkisë së Kavajës.

“Një gjë ju garantoj, që Elvis Rroshin do ta keni kryetar bashkie prapë. Një gjë dua t’ju them, që Elvis Rroshi tmerron Berishën, tmerron Bashën sepse Elvis Rroshi ka mbështetjen e qytetit të Kavajës. Një gjë dua t’ju them, që Kavaja me Elvis Rroshin është me Zotin. Bashkia e Kavajës me të gjithë projektet që kemi, me mbështetjen e qeverisë, do të vazhdojë përpara dhe unë do të jem gjithmonë këshilltar i kësaj bashkie”, u shpreh Rroshi para të pranishmëve.

Por edhe pse më të pakët në numër, kishte edhe nga ata që e përshëndetën largimin e Rroshit nga detyra.

“Me dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Kavaja ka një festë sepse nuk ishte njeriu u përshtatshëm për të drejtuar këtë qytet. Arsyet i dinë të gjithë, ndërsa ka qenë kryebashkiaku më i korruptuar në Shqipëri”, tha një qytetar.

Top Channel