PD: Rama fsheh dokumentacionin e aferës me stadiumin

31/05/2016 00:00

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po i fsheh publikut dokumentacionin që provon, sipas saj, aferën më të madhe korruptive që bëhen me stadiumin e ri kombëtar.

“Pas kërkesës së dytë për informacion, Edi Rama solli ca letra, por nuk solli kopjen e kontratës partneritet publik-privat, ku do të kuptohej pjesa që mban federata, dhe pjesa që mban privati, pra do të shihej sa është marrë parasysh interesi publik, interesi i qytetarëve. Edi Rama mban të fshehtë kopjen e procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime, ku del qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit e shtetit. Mbi të gjitha, Rama mban të fshetë procedurën që është ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese”, deklaroi në një dalje për mediat, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Paloka i referua një investigimi mediatik për të denoncuar, sipas saj, favorin që i bëhet privatit në këtë ndërtim.

“Një investigim mediatik ka nxjerrë se e gjithë ndërtesa do të jetë 90 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, ku vetëm 12 mijë metra katrorë i shkojnë Federatës, pra publikut, e gjithë pjesa tjetër prej 78 mijë metrash në zonën më të shtrenjtë të Tiranës ndahet mes Ramës dhe klientelës së tij”, shtoi Paloka.

I njëjti investigim, thotë opozita, ka dalë në përfundimin se kompania fituese është paracaktuar përpara se të mbahej mbledhja ku është shpallur si e tillë dhe se ka qenë e vetme në garë.

Paloka ripërsëriti qëndrimin e Partisë Demokratike për këtë çështje, kur tha se opozita do ta trajtojë këtë në kuadër të ligjit antimafia.

Top Channel