PD, Paloka: Rama, protestë për të mbrojtur përdhunuesin

31/05/2016 00:00

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një komunikim me mediat pasditen e së martës ka shprehur shqetësimin e tij rreth së shkuarës kriminale të Elvis Rroshit dhe atij që e ka quajtur “modeli i Edi Ramës për bashkitë”.

“Dëshmia e penalitetit që është publikuar sot, e ardhur nga Ministria e Drejtësisë Italiane, thotë se Elvis Roshi është dënuar për “violenza carnale”, që do të thotë se është dënuar për përdhunim. Pra, Rroshi që e fsheh dhe shefi i Rilindjes që i del në mbrojtje mbulojnë një krim të tmerrshëm të kryer nga i zgjedhuri i Ramës”, ka deklaruar Paloka.

Sipas tij, i papranueshëm është fakti se, edhe pse kryeministri e di që ka vënë një përdhunues si kryetar bashkie në Kavajë, u ka kërkuar socialistëve të dalin në një demonstratë në qytet për ta mbrojtur atë.

“Rama u thotë socialistëve të dalin e të mbrojnë përdhunuesin. Demonstratën do ta udhëheqë Gentjan Daja, i dënuar për trafik droge, ushtar i Rroshit, të cilin Rama e ka caktuar në krye të PS-së së Kavajës”, ka thënë Paloka.

“Pasi i poshtëroi duke ua vënë Rroshin kryetar bashkie dhe duke u vënë kryetar partie të dënuarin për drogë, Rama po i poshtëron qytetarët edhe më shumë sot, duke iu kërkuar të mblidhen në shesh në mbrojtje të përdhunuesit. Ky është Edi Rama. Ky është modeli i tij. Këto janë standardet e tij”, ka shtuar nënkryetari i PD.

Top Channel