Meta përcjell ambasadorin e OSBE-së, Florian Raunig

31/05/2016 14:45

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në takim lamtumire ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig.

Meta i shprehu ambasadorit Raunig mirënjohjen e thellë të Kuvendit për bashkëpunimin dhe kontributin e shkëlqyer të OSBE-së si dhe për rolin e veçantë drejtues të ambasadorit Raunig gjatë të gjithë viteve të shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri.

Meta theksoi se falë drejtimit të ambasadorit Raunig, Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka kontribuuar ndjeshëm në aktivitetin parlamentar të Shqipërisë, duke mbështetur rritjen e standardeve të transparencës dhe përcjelljen e aktivitetit parlamentar më pranë qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori Raunig shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë mes OSBE-së dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se kjo traditë e shkëlqyer bashkëpunim do të vazhdojë të forcohet më tej. 

Kryetari i Kuvendit z. Meta i uroi Ambasadorit Raunig suksese në detyrën e tij të re dhe e siguroi atë se dyert e Shqipërisë mbeten gjithnjë të hapura për miqtë e vjetër të vendit tonë.

Top Channel