“Mea culpa” e Ramës për Rroshin: Nuk e dinim, asnjë tolerim për ligjin

31/05/2016 00:00

“Mea culpa” e Edi Ramës për dorëheqjen e Elvis Rroshit nis me shpjegimin se që 5 vite më parë është verifikuar dëshmia e penalitetit të Rroshit, e cila ka rezultuar e pastër.

Edhe për rikandidimin, Rama shpjegon se të gjitha akuzat e bëra ndaj tij ishin verifikuar në rrugë operative dhe nuk kishin rezultuar të vërteta. Por…

“Fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Rroshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar. Elvis Rroshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi”, ka deklaruar Rama.

I ndodhur përpara këtij fakti, Rama vulosi dhe fundin e karrierës politike të Ervin/Elvis Rroshit.

“Fakti në këtë rast, që Elvis Rroshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë. Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Rroshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës”, ka thënë më tej Rama.

Top Channel