Hollande pret Ramën. Basha, takime në Luksemburg: Mbështetje nga PPE

31/05/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama u takua në Paris me presidentin francez Francois Hollande, duke marrë prej tij vlerësimin për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon.

Sipas njoftimit zyrtar, presidenti Hollande mbështeti përpjekjet e vendit për kryerjen e reformës në drejtësi dhe i tha kryeministrit Rama se Shqipëria është në rrugën e duhur për hapjen e negociatave.

Presidenti Hollande u angazhua për një rol më të madh të Francës në investimet madhore që po kryhen në rajon, duke përfshirë edhe projektin e gazsjellësit Transadriatik.

Nga ana tjetër, kreu i opozitës Lulzim Basha ishte në Luksemburg për 40-vjetorin e Partisë Popullore Europiane.

Njoftimi i Partisë Demokratike thekson se partitë simotra europiane mbështetën platformën e opozitës për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.

Kryetari Basha thotë se në Luksemburg mori mbështetje edhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, si një ndër kushtet themelore për të ecur përpara me integrimin europian të vendit.

Top Channel