Basha: Për Rroshin ka akoma. Rama e di dënimin në Zvicër

31/05/2016 00:00

Lulzim Basha u përpoq të mos dukej si triumfator pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, sepse sipas tij, e keqja vazhdon të qëndrojë në krye të qeverisë dhe të fshehë të vërtetën bashke me të zgjedhurit e tij.

“Edi Rama e ka ditur si sot një vit më parë që Elvis Rroshi ka dënim në Zvicër për drogë. I është kërkuar të mos e kandidojë se do të poshtëronte popullin e tij duke kandiduar një të dënuar për drogë dhe zgjodhi ta kandidonte”, deklaroi Basha për mediat.

Basha ironizoi me batutat e Ramës për të treguar se “thesi i të panjohurave” që ka hapur dekriminalizimi do të nxjerrë të tjera gjëra. “Dhe me shprehjen më të dashur të tij, s’ka parë asgjë akoma!’”, paralajmëroi Basha.

Megjithatë, sikurse tha dhe më herët, kreu i PD theksoi se, Shqipëria nuk shpëton me ikjen e Elvis Rroshit, por të shefit të tij politik.

“Dhe lufta mund dhe do të përfundojë për të gjithë shqiptarët kur personi që ngriti arkitekturën e pushtetit të inkriminuar të jetë larguar nga pushteti një herë e mirë me votën e shqiptarëve. Zgjidhja është largimi i Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Por kërkesa për largim a e pengon atë për takimin me Edi Ramën? Lulzim Basha nuk iu përgjigj pyetjeve të medias lidhur me këtë temë, por ai qëndroi më shumë se një orë në një takim me ambasadorin amerikan, i cili po ndërmjetëson një kompromis për reformën në drejtësi.

Top Channel