Trump mbron veteranët: Trajtohen më mirë emigrantët ilegalë, sesa ata

30/05/2016 08:20

“Emigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara shpeshherë kanë trajtim më të mirë sesa veteranët e luftës së këtij vendi, e këtë – tha Donald Trump, – ne nuk do ta lejojmë të vazhdojë më gjatë”.

Njeriu, që tashmë pret thjesht zyrtarizimin e nominimit të partisë së tij, nuk ofroi asnjë provë në mbështetje të kësaj deklarate. Vitin e kaluar, miliarderi shkaktoi jo pak zemërim me sulmin ndaj së shkuarës së senatorit John McVain, dikur rob lufte.

“McCain – tha Trump asokohe, – konsiderohet hero vetëm sepse u kap rob gjatë luftës së Vietnamit. Mua për vete – shtoi ai, – më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.

Që prej atëherë, manjati që nuk ka kryer kurrë shërbim ushtarak është përpjekur ta riparojë dëmin e bërë, duke i nderuar vazhdimisht veteranët në tubimet e tij, e duke organizuar mbrëmje bamirësie dhe grumbullime fondesh për ta.

Komentet e fundit erdhën gjatë ngjarjes së përvitshme me motoçikleta “Rolling Thunder”, e cili i kushtohet kujtimit të ish-robërve të luftës dhe të zhdukurve në aksion. Edhe gjatë ndalesës së dy ditëve më parë në Kaliforni, republikani u përpoq të shfaqej sa më pranë shqetësimeve të qytetarëve, duke prekur një çështje nevralgjike për ta.

“Nëse zgjidhem president, – ishte zotimi i Trumpit, – do të lëshojmë ujin, në mënyrë që fermat tuaja të mbijetojnë e tregu i punës të përmirësohet. Fermerët e zonës ende nuk e kuptojnë përse autoritetet nuk lejojnë një përdorim më të gjerë të ujit për arsye bujqësore”. “As ambientalistët vet nuk e dinë, – tha Trump më tej, – por se ç’duan të mbrojnë një lloj peshku të vogël”.

Kalifornia përballet prej 5 vitesh me thatësirë të ashpër e rezervat ujore të saj, zyrtarët lokalë po i menaxhojnë me shumë vështirësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA