
Konflikti mes një banori dhe pronarit të një lokali poshtë shtëpisë së tij, për zhurmat, rrjedhjen e ujit dhe vendosjen e tendës, ka përfunduar me vrasjen e një 55-vjeçari, paraditen e së hënës në zonën e Kombinatit në kryeqytet.
Luan Koprencka është qëlluar disa herë me thikë nga 2 të rinj dhe më pas ndërroi jetë rrugës për në spital.
Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar Alban Hykën dhe Vladimir Islamin, të cilët janë të afërm të pronarit të lokalit.
Mësohet se fillimisht ata janë përleshur me viktimën, i cili i ka qëlluar me tullë. Sipas vëllait të viktimës, policia ka qenë në dijeni të konfliktit.
“Konfliktin që ka pasur e di ai. Të dyja palët kishin shkuar në polici. Tani unë nuk e di çfarë të them, se si i bën këto punë policia e shtetit shqiptar, kur ajo ka pasur një ankesë. Vinte i plotfuqishmi, pinte një dopjo te lokali dhe nuk e mbyllte si çështje”, shprehet vëllai i viktimës.
Luan Koprencka u qëllua vetëm disa metra larg banesës së tij, në një rrugicë aty pranë. Po ashtu banorë të zonës thonë se viktima më herët ka frekuentuar lokalin poshtë banesës së tij dhe konsumonte shumë alkool.
Pas disa orë kërkimesh policia ka mundur të kapë një prej autorëve, Alban Hyka, në zonën e Ndroqit.
Top Channel