
Në kuadër të Asamblesë së NATO-s që po zhvillohet në Tiranë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim me kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç ku biseduan edhe për të drejtat e shqiptarëve në shtetin fqinj.
Gjatë takimit, Meta dhe Gjukanoviç ndanë bindjen e përbashkët se të drejtat e pakicave janë një vlerë e shtuar për çdo vend të rajonit, ashtu si në të gjithë vendet anëtare të NATO-s.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç u informuan prej Ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, Ferhat Dinosha mbi debatet e fundit rreth përdorimit të disa përkufizimeve shqetësuese në fjalorin e gjuhës malazeze nga ana e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, ku u nda bindja e përbashkët se terminologjitë e përdorura shkojnë ndesh me karakterin autokton të shqiptarëve të Malit të Zi.
Gjithashtu gjatë takimit Meta e falënderoi Kryeministrin Gjukanoviç për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe duke e uruar për firmosjen së fundmi të protokollit të anëtarësimit mes Ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe Malit të Zi, e siguroi Kryeministrin Gjukanoviç se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë parlamenti i parë që do të ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.
Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, Meta dha një prononcim për mediat:
Ne besojmë shumë në vlerat e jashtëzakonshme që ka zgjerimi i NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi, sepse tregon që zgjerimi i NATO-S është një proces që vazhdon dhe Shqipëria gjithmonë e ka mbështetur këtë politikë.
Dhe shpresojmë që kjo politikë njëkohësisht të vazhdojë të ndiqet edhe nga BE, sepse kjo do të thotë përforcimi i vlerave të lirisë, të të drejtave njeriut, të demokracisë, në të gjithë kontinentin tonë.
Dhe do të thotë edhe një rritje e aftësive, kapaciteteve të NATO-s për të përballuar më mirë sfidat globale, jo vetëm brenda kufijve të shteteve anëtare të Aleancës, por ajo që është shumë e rëndësishme edhe përtej këtyre kufijve ku shumë vende, shumë popuj presin dhe shpresojnë që politikat e NATO-s të kontribuojnë për të përballuar më me sukses shumë nga sfidat globale, të cilat kanë shkaktuar mungesë stabiliteti, kriza, konflikte, gjenocid, probleme të jashtëzakonshme humanitare, me të cilat nuk janë ndeshur vetëm në këto vende në rajonet fqinje me kontinentin tonë, por me të cilat është ndeshur vetë Europa, siç kemi parë gjatë viteve të fundit, gjatë muajve të fundit.
Edhe një herë urimet më të mira për Malin e Zi. Falë lidershipit të palëkundur dhe me vizion të qartë të Kryeministrit Gjukanoviç, Mali i Zi është tashmë pjesë e familjes Euro-Atlantike dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Malin e Zi, sepse edhe ne kemi se ç’të mësojmë nga Mali i Zi, sidomos në drejtim të integrimit evropian ku Mali i Zi ka avancuar më shumë dhe ku ne dëshirojmë të vazhdojmë së bashku drejt procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Po kështu kam falënderuar Kryeministrin Gjukanoviç për vëmendjen që ai i ka kushtuar vazhdimisht minoriteteve në vendin e tij, sepse ky është një element mjaft i rëndësishëm edhe për standardet e një vendi anëtar të NATO-s dhe kam dëgjuar më kënaqësi angazhimin e tij për të forcuar më tej dialogun me shqiptarët në Malin e Zi dhe me pakicat e tjera për t’i avancuar më tej të drejtat e tyre, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimin Europian.
Top Channel