Replikat për dekriminalizimin, PD-PS, akuzojnë njëra-tjetrën për fshehjen e fakteve

30/05/2016 11:20

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vijojnë të përplasen me deklarata për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Prej disa ditësh, mazhoranca i kërkon selisë blu që të nxjerrë 19 emrat e deputetëve që pretendon se kanë lidhje me krimin, ndërsa akuzoi sërish 3 deputetë të opozitës.

“Ligji për dekriminalizimin u miratua nga mazhoranca sipas kërkesave të opozitës, edhe pse në kufijtë e prekjes së Kushtetutës. Kërkoj nga lidershipi i PD, Lulzim Basha e Sali Berisha, të japin një shpjegim për baltën që ato për dy vite rresht hodhën pa kursin mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Aq më tepër që sot, deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve apo deklarimeve të rreme që kanë bërë, e që janë në shkelje me ligjin e dekriminalizimit”, u shpreh Musa Ulqini.

Ndërkohë, nga selia blu, Arben Ristani denoncoi një rast dhune të ushtruar nga zyrtarë të policisë së Kurbinit ndaj protestuesve që kërkojnë largimin e kreut të kësaj bashkie, që sipas Sekretarit të Përgjithshëm demokrat ka shkelur ligjin e shumëpërfolur.

“Një Ermal Lila, cub me uniformën e policisë është vënë në ndjekje të qytetarëve dhe demokratëve që protestuan dje pranë zyrave të bashkisë, duke kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, i cili nxjerr prej bashkisë Bardhin e Ramës”, u shpreh Ristani.  

Me anë të një deklarate, reagoi sërish Partia Demokratike këtë të hënë në lidhje me deklaratën e zotit Ulqini.

“Shumë qytetarë dhe socialistë, tjetër gjë presin nga Musa Ulqini. Presin që Musai të mos pajtohet me krimin që ka zënë çdo pore të partisë. Ndoshta ai nuk e ka kurajon të kërkojë llogari pse partia ku është themelues, është nga pionierët e parë, u mbush nga shefi i rilindjes me banditë, trafikantë, tutorë e vrasës, por të paktën Musai duhet ta ketë kurajon të mos rreshtohet në radhët e atyre që bëjnë gargare me jargët e Edi Rams”, shkruhet në reagimin e PD.

Top Channel