Negociatat e ndërkombëtarëve, Lu tek Berisha, Vlahutin tek Xhafaj

30/05/2016 00:00

Përjashtimi me 10 ditë nga Parlamenti i ish-kryeministrit Berisha  ka ndërprerë komunikimin dypalësh për një takim Rama-Basha, por nuk ka ndërprerë përpjekjen e ambasadorëve për të gjetur një kompromis për reformën në drejtësi.

Ambasadori amerikan Donald Lu ishte në zyrën e Sali Berishës në një takim kokë më kokë për ta njohur ish-kryeministrin me bisedimet që po kryhen mes mazhorancës dhe opozitës për të votuar amendamentet kushtetuese, siç thuhet në njoftim, brenda afatit të përcaktuar. 

Ky afat është fundi i muajit qershor dhe siç shprehet Sali Berisha kompromisi mes palëve është plotësisht i mundshëm. Në njoftim nuk thuhet asgjë tjetër për reformën në drejtësi, sepse zoti Berisha është përqendruar tek ajo që e quan “mungesë të vullnetit të Edi Ramës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”.

Megjithatë, Top Channel mësoi se Partia Demokratike, duke përfshirë edhe Sali Berishën, këmbëngul se kompromisi gjendet duke marrë parasysh draftin e opozitës për thjeshtimin e arkitekturës së sistemit dhe heqjen dorë nga kapja politike nëpërmjet shumicës parlamentare  prej 3/5-ve.

Top Channel mësoi gjithashtu se paralelisht me takimin e ambasadorit Lu në zyrën e Sali Berishës, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vllahutin ishte në zyrën e kryetarit të Komisionit të Reformës në Drjetësi, Fatmir Xhafaj.

Një provë më shumë se, pavarësisht bojkotit të opozitës, këto 10 ditë mund të jenë vendimtare për të ardhmen e reformës në drejtësi.

Top Channel